Mirësevini në platformën qendrore qeveritare për financimin publik të organizatave të shoqërisë civile në Republikën e Kosovës.
Platforma ka për qëllim rritjen e transparencës dhe llogaridhënies për financimin publik të organizatave të shoqërisë civile në Republikën e Kosovës. Platforma ofron një mundësi kërkimi në të dhënat për mbështetjen financiare për OShC-të sipas viteve, institucioneve, OJQ-ve, etj.
Platforma menaxhohet nga Zyra për Qeverisje të Mirë në Zyrën e Kryeministrit, si institucioni përgjegjës për koordinimin e planifikimit dhe raportimit për shpërndarjen e përgjithshme të financimit publik të OSHC-ve, në përputhje me Rregulloren Nr. 04/2017 për Kriteret, Standardet dhe Procedurat për financimin publik të OSHC-ve.
Platforma do të iu mundësojë qytetarëve, publikut të gjerë dhe mediave që të monitorojnë shpenzimin e fondeve publike për OShC-të dhe të kontribuojnë në respektimin e parimeve themelore të menaxhimit të mirëfilltë financiar në të gjitha institucionet buxhetore.
Publikimi i Raporteve për Financimin Publik të OShC-ve është vlerësuar lart nga Komisioni Evropian në Raportin e Progresit, duke theksuar se ky është një hap pozitiv drejt transparencës më të madhe të fondeve publike. Deri më tani, Zyra e Qeverisjes së Mirë në Zyrën e Kryeministrit ka publikuar raportet mbi financimin publik në vitet 2015-2016, 2017 dhe 2018.
Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve publike dhe krijimin e një besimi të ndërsjellë midis shoqërisë civile dhe institucioneve publike.
Ne ju ftojmë të na dërgoni komentet dhe sygjerimet e juaja se si mund ta përmirësojmë Platformën dhe ta bëjmë atë më të përdorshme.
Me respekt,
Zyra e Qeverisjes së Mirë/Zyra e Kryeministrit